Skuadra shqiptare KF Dardania ka marrë pjesë në turneun zyrtar të Federatës së Futbollit të Zvicrës në Saint Gallen.
Kjo ishte hera e parë që skuadra shqiptare merr pjesë në një garë të tillë, derisa ishte ekipi i nivelit me poshtë se të gjitha ekipet tjera, shkruan albinfo.ch.
KF Dardania humbi lojën e parë, por gjithashtu edhe portierin, i cili u lëndua. Ai u zëvendësua nga një lojtar në fushë, i cili deri në fund mbeti si portier.
Më pas KF Dardania fitoi të gjitha ndeshjet tjera, duke mundur ekipe si FC Saint Gallen U21 dhe Rappersëil-Jona, të cilet luajnë katër nivele më lartë se Dardania.
Në finale mposhtën ekipin SC Brühl Sanit Galle me rezultatin 1:0, një ekip i cili luan në ligën e tretë gjysmëprofesionale të Zvicrës dhe i cili ishte favorit për titullin.
Portieri i Dardanisë, i cili në fakt nuk ishte portier, u zgjodh nga organizatorët si portieri më i mirë i turneut.
Dardania nuk fitoi vetëm titullin, por edhe shumë simpati nga rajoni. Një ditë e madhe dhe një histori të cilën e shkruan vetëm futbolli.







