Skip to content

Lëndohet rëndë sportistja gjatë përgatitjeve për “Lozana 2020”

Sipas Policisë Kantonale të Vaudit, ajo është dërguar në spital me lëndime me rrezik për jetën

Gjatë përgatitjeve për hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore për të Rinj “Lozana 2020”, sot është aksidentuar një grua, shkruan srf.ch. Bëhet fjalë për 35-vjeçaren ruse, garuese në vrapim me patina, e cila është rrëzuar nga një lartësi prej pesë metrash në sallën e sporteve në akull, në Malley të Lozanës.

Sipas Policisë Kantonale të Vaudit, ajo është dërguar në spital me lëndime me rrezik për jetën.

Gjatë provave për prezantimin e saj, sportistja në fjalë është tërhequr lart nga një sistem unazash metalike, bën të ditur Policia Kantonale, transmeton albinfo.ch. Sistemi në fjalë ishte i lidhur përmes një kablloje në një motor të përforcuar në kulmin e sallës.

Nga shkaqe ende të pasqaruara, sportistja ka humbur befas drejtpeshimin dhe ka rënë nga pesë metra në sipërfaqen me akull të sallës.

Hapja solemne e Lojërave Olimpike për të Rinj mbahet nesër. Organizatorët kanë shprehur keqardhje për aksidentin, por kanë deklaruar se ceremonia e hapjes së Olimpiadës nuk do të anulohet.