Mërgimtari, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, Nezir Mehmetaj, nga fshati Rudicë e Klinës, të premten është ndaluar nga policia serbe në pikën kufitare Merdar, përcjell albinfo.ch.
Rastin e kanë bërë të ditur familjarët e tij, të cilët nuk dinë asgjë për të.
Thuhet se Neziri jeton që 25 vjet në Zvicër dhe kishte qenë për pushime në Kosovë, por për shkak që nëna e tij ishte e sëmurë, ai kishte shkuar në Beograd për t’ia bërë analizat.
Teksa po kthehej në Kosovë, ishte ndaluar në kufi nga doganierët serbë, duke i thënë se gjendet në ‘Stop listë’.
Me të në veture gjendej nëna e tij dhe një kushëri, ndërkaq që të dy janë liruar, shkruan telegraf.
Nga ana tjetër, Neziri, përmes një mesazhi i ka thënë familjes së tij se janë duke e dërguar në Beograd, ndërkaq asgjë tjetër nuk dinë.
Familja e Nezir Mehmetajt ka apeluar të institucionet e vendit që të ndërmarrin masa që të kuptohet arsyeja e ndalimit të Nezirit. /Albinfo.ch