Ekonomia zvicerane nuk pritet të këtë rritje të qëndrueshme së paku deri në vitin 2021, duke iu referuar parashikimeve të qeverisë. Banka Kombëtare e Zvicrës (SNB) është pajtuar të mbajë normat negative të interesit të pandryshuara.
Një grup ekspertësh nga qeveria kanë arritur në përfundim se rritja ekonomike për këtë vit ishte vetëm 0.9%, ndërsa në vitin 2020 do të jetë 1.7% dhe në vitin 2021 do të ketë rritje vetëm në 1.2%, shkruan swissinfo.ch.
Sidoqoftë, rritja më e madhe ekonomike për vitin ardhshëm do të gjenerohet nga eventet sportive, duke përfshirë edhe Lojërat Olimpike në Tokio, përcjell albinfo.ch.
Sipas parashikimeve, ekonomia zvicerane do të ketë një ngadalësim dhe do të jetë shumë e dobët edhe sa i përket eksporteve, në vitin 2020 do jetë niveli më i ulët krahasuar me katër vitet e kaluara.
Ambienti ndërkombëtar i tregtisë mbetet i pafavorshëm. Posaçërisht, rënie ekonomike mund të pritet edhe në eurozonë, me theks të veçantë në Gjermani, partnerin më të rëndësishem tregtar të shtetit zviceran.
Megjithatë, ekonomia e Zvicrës aktualisht ka një normë të ulët të papunësisë, (rreth 2.3%, sipas qeverisë) dhe sektore të fuqishme farmaceutike dhe industrinë e kimikateve, të cilat shihen shtylla të forta edhe kur ka rënie ekonomike në vend.