Qytetarët e Kosovës nuk do të paguajnë haraç vetëm në Rrugën e Kombit.
Shumë shpejt, ata do të detyrohen të paguajnë edhe kur vizitojnë Bogën, Prevallën, Rugovën e parqet e tjera nacionale në vend.
Shuma e parave që kosovarët do të duhet të paguajnë për të kaluar tutje laurave për një ditë shkon deri në 3 euro, varësisht se me çfarë automjete do t’u drejtohen këtyre qendrave.
Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i kanë thënë Gazetës Express se kompenizmet për çdo lloj të shfrytëzimit të resurseve dhe hapësirës së këtyre parqeve janë të parapara me legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës si dhe menaxhimin e parqeve kombëtare.
Zëdhënësi i MMPH-së, Leutrim Sahiti, ka thënë se arsyeja e vendosjes së laurave nëpër këto qendra është mbrojtja e tyre nga veprimet ilegale.
“Prandaj qëllimi kryesor i vendosjes së laurave është për mbrojtjen e këtyre resurseve natyrore nga veprimet ilegale që ndodhin në territorin e Parqeve Kombëtare siç mund të jenë: prerja e pyjeve, ndërtimet ilegale, gjueti ilegale si dhe degradimet tjera që ndodhin në territorin e Parkut”, ka thënë Sahiti.
Por, ndonëse vendosja e tyre është paralajmëruar që nga viti i kaluar, ende nuk është filluar me pagesa. Për këto vonesa, në Ministrinë e Ambientit e drejtojnë gishtin kah kompania fituese e tenderit.
“Ju informoi se hyrjet në Parqe Kombëtare nuk kanë filluar ende me pagese, sepse operatori ekonomik për ndërtimin e laurave është në fazën finale të ndërtimit dhe të pranimit teknik”, thuhet në përgjigjet e MMPH-së drejtuar Gazetës Express.
Deklarojnë se edhe Drejtorit e Parqeve Kombëtare kanë mungesa në staf rreth menaxhimit të këtyre laurave “dhe se në momentin që do të gjendet zgjidhja e problemit me staf atëherë do të funksionalizohen dhe do të filloi edhe sistemi i pagesave sipas rregullores për shërbimet e AMMK-së dhe institucioneve të saj.”
Në tabelën me çmime që ka siguruar Express nga MMPH-ja, thuhet se çmimet për hyrje dhe vizita për një ditë në këto parqe fillojnë nga 50 centë e deri në 3 euro.
Hyrja për fëmijë të moshës 10-18 vjeçar kushton 50 centë në ditë, derisa për persona të rritur është 1 euro.
1 euro kushton edhe hyrja për automjete dhe motoçikleta, ndërkohë që për të hyrë me kombibus në këto parqe duhet të paguash 2 euro.
Kosto më të lartë ka hyrja me autobus dhe kamionë. Kushdo që ua mësynë këtyre parqeve me këto automjete do të duhet të paguajë 3 euro për një ditë.
Në MMPH deklarojnë se këto pagesa janë të rregulluara sipas Rregullores për Shërbimet e AMMK-së dhe institucioneve të sajë.
Ndryshe, një pagesë e tillë tashmë aplikohet në Brezovicë. Laura në këtë qendër turistike është vendosur në janar të vitit 2018 nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Sidoqoftë, që nga aplikimi i kësaj takse, shumë qytetarë janë shprehur kundër saj. Sipas tyre, së pari do të duhej të investohej nëpër qendrat turistike, pastaj të vendosej taksa, shkruan GE, përcjell albinfo.ch.
