Aktori i njohur komik, njëri ndër humoristët kulmorë të Zvicrës, Viktor Giacobbo, pak ditë më parë ka bërë në gazetën Tages Anzeiger një pranim që ka nxitur debat të gjallë në mediat e këtushme. Ai ka pranuar (pa e pyetur kush) se para shumë kohësh, për shtatë vjet me radhë ka pasur një martesë fiktive me një grua të huaj lezbike.
Aktori, me këtë “martesë” i ka mundësuar asaj të qëndrojë në Zvicër që të mund të bashkëjetojë me partneren e saj, po ashtu lezbike zvicerane, transmeton albinfo.ch. Ato jetonin së bashku prej 30 vjetësh, por pasi që nuk kishin të drejtë të martoheshin si partnere të gjinisë së njëjtë, lezbikes së huaj i duhej që vazhdimisht të lëshonte Zvicrën për periudha të gjata. Pas “kurorëzimit” me Giacobbo-n, ajo mund të qëndronte legalisht në Zvicër. Martesa fiktive ka zgjatur shtatë vjet dhe pastaj “çifti” është shkurorëzuar, me marrëveshje.
Duke qenë se martesat fiktive 8 vjet pas prishjes nuk janë më të dënueshme, ose vjetërsohen, Giacobbo e ka bërë publik lajmin pasi ka kaluar fazën e rrezikut, përcjell albinfo.ch. Por, në rast se kjo martesë do të zbulohej më herët, ai mund të dënohej me burg deri në 5 vjet.
Ndërkohë që juristët “e lirojnë” nga përgjegjësia penale, disa politikanë kërkojnë përgjegjësi ose dënim që, sipas tyre, shkon deri në marrje të pasaportës zvicerane që tashmë e zotëron ish-partnerja fiktive e komikut të njohur. Deputeti nacional nga SVP, Claudio Schmid, kërkon “sqarim të plotë” të rastit.
“Autoritetet për migracion duhet t`ia marrin pasaportën dhe ta anulojnë në mënyrë retroaktive natyralizimin si pasojë e mashtrimit të bërë”, ka shkruar ai në Tweeter. Ai ka shtuar se përkundër vjetërsimit të lëndës, duhet kërkuar një sqarim i hollësishëm i rastit. Schmid ka vërtetuar për gazetën Blick se do të bëjë një mocion në Parlament lidhur me rastin.
Ndërkaq përgjigjja e humoristit, po ashtu përmes Tweeterit ka qenë: “Më gëzon (kërkesa për sqarim”. Por a e di ai se tashmë ish “gruaja” ime, si një ndërmarrëse e suksesshme, ka krijuar vende pune për zviceranët, ka paguar kontribute sociale dhe bashkë me mua ka paguar edhe dënimin martesor”.
(Foto: Screenshot SRF)