Pasuria e 300 njerëzuve më të pasur të Zvicrës gjatë këtij viti ka shënuar sërish një rritje të madhe. Kjo ka ndodhur falë kursit në ngritje të bursave, njofton sda.ch.
Kështu, pasuria e tyre, e marrë së bashku, llogaritet të jetë 702 miliardë franga, ose 27 miliardë më shumë se një vit më parë.
Paralelisht me rritjen e pasurisë së më të pasurve në vend, rritet edhe hendeku i tyre me pjesën tjetër të popullatës, gjegjësisht pabarazia në fitime, transmeton albinfo.ch. 18 miliardë franga nga 27 miliardët e përmendur të rritjes gjatë vitit 2019 ose dy të tretat shkojnë “në konto” të 3 përqindëshit më të pasur.
Në kreun e listës së më të pasurve në Zvicër, që e përpilon revista “Bilanz”, është edhe kësaj here familja e themeluesit të gjigantit të mobileve, “Ikea”, suedezit Ingvar Kamprad tashmë të ndjerë, përcjell albinfo.ch. Sipas listës, bëhet fjalë për një pasuri prej 55 miliardë frangash që e menaxhojnë nga Zvicra të bijtë e Kampradit të ndjerë.
Në listën e 300 më të pasurve të Zvicrës, revista “Bilanz” u bën vend personave ose familjeve që kanë mbi 100 milionë franga pasuri.