Banori i këtij fshati, Vladimir Haxhiu, në një videolidhje për RTV Dukagjinin ka rrëfyer momentet e vështira të mëngjesit të ditës së sotshme, përcjell albinfo.ch.
Ai thotë se edhe në orën 10 të mbrëmjes së djeshme kishte rënë një termet, e që banorët menjëherë kishin dalë jashtë, por më pas ishin futur brenda pasi gjendja ishte qetësuar.
“Rreth orës 4 të mëngjesit ka rënë tërmeti më i fuqishëm që rrënoi gjithçka. Unë me gjithë familjen time që isha vetë i pesti mezi arritëm të shpëtonim, pasi ishim në katin e parë. Dhjetë të tjerë që ishin në katet e mësipërme mbeten në rrënoja. Katër nga ta tashmë janë konfirmuar të vdekur, ndërsa për dy të tjerë nuk ka shpresë”, rrëfen Vladimir Haxhiu.
I vendosur bashkë me familjen në një fushë të hapur, ai thotë se ende nuk janë krijuar kushtet e përshtatshme për strehim.
“Pjesërisht ka, por jo sa duhet. Deri në këto momente unë vetë nuk kam marrë as batanije e as dyshekë. Çadra është duke u montuar”, rrëfen më tej Vladimir Haxhiu.
https://www.facebook.com/tvdukagjiniofficial/videos/429004761105518/?t=0