Zëvendësdrejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, po qëndron në Prishtinë në kuadër të shënimit të 20 vjetorit të themelimit të Bankës Qendrore të Kosovës. Gjatë një paraqitje për media, i pyetur nga Telegrafi se si do të zgjidhet çështja e pensioneve të veteranëve dhe mësimdhënësve të viteve të 90-ta, ai ka thënë se janë duke bashkëpunuar me institucionet vendore për arritjen e stabilitetit fiskal.
Zhang ka shtuar se ende nuk kanë filluar konsultimet për vitin aktual.
“Ne në vazhdimësi kemi bashkëpunim me institucionet e Kosovës. Ne sigurisht këtë e bëjmë duke i shkëmbyer përvojat dhe dhënë vërejtjet për çështjet. Po vazhdojmë t’i diskutojmë çështjet me prioritet me Ministrinë e Financave. Ne vitin e kaluar e kemi përfunduar konsultimin e fundit, por që këtë vit ende nuk kanë filluar ende konsultimet. Po e presim momentin e duhur, ashtu siç ju e dini, ende nuk i keni formuar institucionet në mënyrë që t’i fillojmë ato. Siç e dini qasja jonë është objektive, sidomos për stabilitetin fiskal dhe për këtë jemi në vazhdimësi në konsultim më institucionet vendore që ta arrijmë disiplinën fiskale”, tha ai, përcjell Telegrafi.