Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe Këshilli Organizativ Shqiptar në Danimarkë nga data 2 deri më 9 nëntor në Kopenhagë mbajtën “Ditët e Kulturës Shqiptare”, përcjell albinfo.ch.
U bë e ditur se gjatë kësaj kohe u zhvilluan aktivitete të ndryshme kulturore, ku u organizua një koncert me valle dhe këngë shqipe, pastaj u organizuan Netët e filmit shqiptar, me ç’rast u dha një film dokumentar i autorit Ixhet Luftiu, i cili jeton dhe punon në shtetin danez.
Gjithashtu u hap edhe një ekspozitë me veshje shqiptare dhe instrumente popullore, u bë prezantimi i turizmit dhe i produkteve shqiptare, si dhe aktivitete të tjera.
Këto aktivitete i përcollën një numër i madh i bashkatdhetarëve, përfaqësues të Konsullatës së Kosovës në Danimarkë, përfaqësues të Ambasadës së Shqipërisë në Danimarkë, përfaqësues shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, si dhe përfaqësues të Komunës së Ballerupit në Danimarkë. /Albinfo.ch