Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Shqipëri, ka paralajmëruar një marsh më 28 Nëntor, për siç thonë ata, bashkim kauzash me hapa drejt integrimit kombëtar.
Përmes një postimi në Facebook, ku edhe e kanë bërë njoftimin për marshin, ata thonë se shqiptarët nuk e kanë luksin ta shohin 28 Nëntorin si festë, shkruan GE, përcjell albinfo.ch.
Sipas tyre, 28 Nëntori është projekt i pazbatuar, është datë e cila përkujton shpalljen e Pavarësisë për një Shqipëri të begatë, për të cilën dhanë gjithçka heronjtë kombëtarë.
Por, Vetëvendosje thotë se sot Shqipëria nuk është e begatë, e as shqiptarët nuk janë të bashkuar.
“Prandaj, 28 Nëntori është projekt i gjallë, që thërret për ndryshime sociale, ekonomike dhe politike, për rritje të sigurisë e për përparim shoqëror. Këto synime kërkojnë të ecet me hapa konkretë integrues, mes Shqipërisë e Kosovës. Ky integrim do të rrisë cilësisht demokracinë, do të zhvillojë ekonominë, do të forcojë shtetformimin, dhe do të përmirësojë ndjeshëm pozitën e shqiptarëve autoktonë në trojet e tjera dhe të atyre që jetojnë në mërgim. 28 Nëntori, data që na kujton se për sa kohë jemi të ndarë, nuk arrijmë dot begati, zhvillim e siguri”, thonë ata.
Sipas Vetëvendosjes, pavarësia pa sovranitetin e brendshëm fillon t’i përngjajë një guaske të boshatisur.
Përmes Facebookut, ata thonë se demokracia nuk ka kuptim tjetër përveç sovranitetit, dhe sovraniteti është mundësia e një populli për të zhvilluar vetveten.
Sipas tyre, çështja kombëtare nuk është togfjalësh folklorik, ceremonial e ritual, i zbrazur nga përmbajtja, por ajo është drejtësi e mohuar aktuale dhe historike, sa ç ‘është edhe projekt për të ardhmen e afërt.
