Zvicra së pari duhet të barazojë moshën për pensionim në mes të grave dhe burrave, ndërsa pastaj, në mënyrë graduale, ta shtyjë pensionimin për të dy gjinitë, në moshën 67-vjeçare. Kështu rekomandon Organizata Evropiane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) në raportin e saj më të ri për vendet anëtare, shkruan sda.ch.
Sipas organizatës në fjalë, në rrethanat e plakjes së zviceranëve, gjegjësisht rritjes së moshës mesatare të tyre është “urgjentisht e nevojshme” që të merren masat e përmendura më lart, përcjell albinfo.ch.
OECD rekomandon që të shmangen faktorët që pengojnë shtyrjen e moshës për pensionim. Sipas saj, kontributet për sigurimin social që duhet t`i paguajnë të punësuarit duhet të ulen te të moshuarit. Po ashtu duhen ulur edhe taksat nga të ardhurat e atyre që mbajnë dy punë.
OECD lavdëron Zvicrën për politikën e saj solide buxhetore dhe për borxhin e ulët, transmeton albinfo.ch. Kjo gjë krijon hapësirë të lirë që mund të shfrytëzohet më tepër te vendosja e taksave.
OECD ndërkaq kërkon nga Zvicra më tepër transparencë mbi ndikimin e investimeve në klimë si dhe kritikon nivelin e ulët të kompetencës për teknologjinë informative në vend.
Sipas OECD-së, bruto produkti nacional për kokë banori në Zvicër është i treti ndër anëtarët e kësaj organizate dhe kështu, ata gëzojnë një mirëqenie të lartë ekonomike.