Sipas raportit financiar të Komunës, nga 48 milionë euro sa janë në dispozicion për këtë kategori, janë shpenzuar vetëm 9 milionë e 456 mijë euro, apo 19.55 për qind, raporton 038 në KTV, përcjell albinfo.ch.
Shpenzimet për investime kapitale kanë rënë për 15.9 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018, ku për nëntë muaj ishin shpenzuar 35.45 për qind të mjeteve për këtë kategori.
Kjo shumë e buxhetit e shpenzuar për investime kapitale këtë vit, sipas LDK-së, është shumë e ulët.
Kjo parti opozitare thotë se komunës sivjet do t’i mbesin pa i shpenzuar 40 milionë euro, rreth 15 milionë më shumë se vitin e kaluar.
Këtë gjendje, Lëvizja Vetëvendosje e vlerëson si fatkeqësi për kryeqytetin e vendit.
Eman Rrahmani nga kjo parti ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit Shpend Ahmeti.
Iniciativa për Progres, e cila monitoron punën e komunës, thekson se ky nivel i ulët i shpenzimeve kapitale është si pasojë e keqplanifikimit dhe keqmenaxhimit të projekteve.
Sipas raportit, ka drejtori si ajo e Shërbimeve Sociale që për këta nëntë muaj nuk ka shpenzuar asnjë cent për projekte.
Kryetari Shpend Ahmeti ka siguruar se paratë nuk do të mbesin pa u shpenzuar, pasi ato do të barten në buxhetin e vitit të ardhshëm.
“Ashtu siç kam thënë në dhjetor të vitit të kaluar, kur ishin në pyetje mbi 20 milionë, pjesa më e madhe e tyre janë shpenzuar sivjet. Pra, ky nuk është suficit, por bartje e mjeteve që ndodh çdo vit”, ka thënë Ahmeti.
SHPENZIMET KORRIK-SHTATOR 2019
Tremujori i tretë: 18,334,188.38 €
Paga: 7,737,989.90 €
Mallra dhe shërbime: 3,665,299.02€
Shpenzime komunale: 485,931.08 €
Subvencione: 1,769,508.24 €