Reagimi i plotë i AGK-së:
AGK dënon gjuhën linçuese të Hysen Durmishit ndaj gazetarëve.
Linçimi publik i bërë nga zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hysen Durmishi, ndaj drejtorit të televizionit Klan Kosova, Baton Haxhiu dhe ndaj kryeredaktorit të gazetës online Insajderi, Vehbi Kajtazi, për AGK është shqetësues dhe i papranueshëm.
Përmes një shkrimi në Facebook, Durmishi, ndër të tjerë, ka kërkuar arrestimin e dy gazetarëve.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar me shqetësim të thellë këtë lloj kërcënimi, meqenëse është hera e tretë që reagon ndaj gjuhës së anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje drejtuar gazetarëve.
AGK fton këtë subjekt politik të distancohet nga kjo qasje e patoleruar ndaj kolegëve tanë dhe i bëjmë thirrje z. Hysen Durmishit që të tërheqë fjalët e tij dhe të kërkojë falje publike, shkruajnë mediat kosovare, përcjell albinfo.ch.