Zvicrës kohëve të fundit kanë filluar t`i mungojnë turistët e lakmuar japonezë, gjegjësisht paratë që ata i sjellin ekonomisë zvicerane. Kriza ekonomike që ka kapluar Japoninë ka mbajtur larg nga Zvicra turistët e këtij vendi, duke ditur se çmimet në Zvicër janë shumë të larta.
Numri i bujtjeve të turistëve japonezë të regjistruara në Zvicër nga janari deri në tetor ka rënë mbi 10 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më parë. Në pika të veçanta turistike madje ka edhe rënie më të madhe. Kështu në Zermatt, vendi i preferuar i turistëve japonezë ka pasur madje 20 për qind më pak mysafirë nga Japonia.
Ndërsa, siç ka thënë një zëdhënës i “Schweiz Tourismus” ky fenomen më pak është i shprehur në qytetin e Cyrihut, si pikë qendrore e Zvicrës sa i përket komunikacionit.
Megjithatë, japonezët, pas kinezëve zënë vendin e dytë në listën e turistëve të huaj që vizitojnë Zvicrën.