Më shumë se 100 kompani shqiptare nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia janë bashkuar në Prishtinë në panairin “Blej Shqip” i cili pritet të hapet nesër me 28 nëntor. Ky panair është organizuar nga Komuna e Prishtinës dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të Republikës së Shqipërisë.
Tendat ku janë ekspozuar produktet shqiptare i vizituan drejtori i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik të Komunës së Prishtinës, Genc Bashota dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi. Ata e vlerësuan të rëndësishme prezantimin e produkteve shqiptare në një panair të përbashkët.
“Sot kam kënaqësinë që së bashku me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, z.Minxhozi të vizitojmë procesin e vendosjes së tendave për panairin “Blej Shqip”, i cili është një panair i organizuar në mënyrë unike nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria shqiptare e Zhvillimit Ekonomik…”, tha Bashota.
Ai tha se qëllimi i këtij organizimi me rastin e 28 nëntorit është që kompanitë nga Shqipëria dhe Kosova, por edhe kompanitë shqiptare në Maqedoni të kenë mundësinë e shkëmbimit të përvojave të tyre. E veçanta e panairit, sipas tij, është se të gjitha kompanitë janë vendore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.
Ndërsa Ambasadori Minxhozi tha se për herë të parë, bëhen së bashku ky numër i kompanive shqiptare që do të thotë se është një panair shumë i madh i vlerave ekonomike që bart rajoni.
Ai tha se “po shihem të gjitha mundësitë që të prodhojmë shqip, të blejmë shqip dhe të shkëmbejmë shqip”.
“Është koha që të lëmë retorikën e fjalëve dhe t’i kthehemi punës praktike të përditshme që prodhimet shqiptare të mbizotërojnë në trojet tona dhe kjo do të ishte një mbështetje shumë e madhe për gjithsecilin nga ne, një mbështetje shumë e madhe për Shqipërinë, Kosovën, për hapësirën shqiptare kudo në rajon”, tha diplomati shqiptar.
Ndryshe, iniciativa “Blej Shqip” u konkretizua në pranverën e vitit 2010. E iniciuar nga Rrjeti i organizatave shqiptare (RrOSH) projekti ‘Blej Shqip’ synonte të nxiste konsumatorët shqiptarë të blejnë produkte dhe shërbime shqiptare.
Për gati çdo vit “Blej Shqip” organizoi në Tiranë e Prishtinë panaire e aktivitete që kishin për qëllimin lidhjen shkëmbimin dhe promovimin e prodhimeve dhe shërbimeve shqiptare. Për herë të parë pas 4 viteve, kjo iniciativë u bë pjesë e kalendarit institucional në Prishtinë e Tiranë.