Të gjithë “burrat e dhunshëm”, të kriminalizuar, qofshin ata të huaj apo edhe zviceranë, duhet të dëbohen nga Zvicra. Këtë e kërkon një iniciativë në nivel federal, e lansuar nga një grup punëtorësh kulturorë të Bazelit.
Kjo iniciativë mbështetet në iniciativën e SVP/UDC-së mbi zbatimin (e iniciativës për dëbim) e cila ishte drejtuar kundër “neglizhimit” që institucionet i bënin iniciativës për dëbimin të huajve kriminelë, të votuar në vitin 2010. Por, pika që e dallon iniciativën e re, të ardhur nga Bazeli është se ajo nuk e kërkon dëbimin vetëm për të huajt por edhe për vendësit (meshkuj) kriminelë. Ata, pas vuajtjes së dënimit, pavarësisht nga lartësia e tij, duhet të dëbohen nga Zvicra, kërkon iniciativa. Ndërsa gratë, kjo iniciativë i kursen nga dëbimi, ashtu siç e kërkon edhe kushtetuta.
Zyra Federale përgjegjëse për pranimin e iniciativave deklaron se kjo e fundit i përmbush kriteret e kërkuara ligjore, shkruan nzz.ch. Por, iniciuesit kanë kohë deri më 18 maj 2016 të plotësojnë listën prej së paku 100 mijë nënshkrimesh të vlefshme.
Iniciatorët i takojnë qarkut të grupit “Freistaat Unteres Kleinbasel” (f-u-k), i cili tashmë ka marrë pjesë në zgjedhje të nivelit kantonal dhe nacional.
Në faqen e internetit, komiteti iniciator shkruan se nuk janë të huajt mbiproporcionalisht kriminelë por meshkujt, të huaj e vendorë. Në këtë kuptim ata nënvizojnë se vetëm një pjesë e papërfillshme, e vogël, e veprave të rënda penale si vrasjet ose deliktet me dhunë apo deliktet seksuale janë kryer nga femrat.