Ministrja shqiptare e Kulturës, Elva Margariti, zhvilloi sot një takim me ambasadorin zviceran, Adrian Maitre, ku në fokus ishte krijimi i një kalendari të përbashkët kulturor mes dy vendeve.
“Me ambasadorin zviceran Adrian Maitre, me të cilin diskutuam për krijimin e një kalendari të përbashkët kulturor për të kremtuar në 2020, 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Zvicrës dhe Shqipërisë”, tha ministrja e Kulturës, Margariti.
Gjithashtu gjatë këtij takimi u diskutua dhe për projekte të përbashkëta në fushën e dixhitalizimit të trashëgimisë kulturore dhe artit.
“Disktuam dhe mundësinë e bashkëpunimit mes dy shteteve për projekte në fushën e digjitalizimit të trashëgimisë kulturore dhe artit si dhe bashkëpunimin me profesorë zviceranë të Arkeologjisë mbi realizimin e projekteve të ndryshme studimore për t’u realizuar në Shqipëri”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.