Sipas një studimi të realizuar nga Zyra Federale për Statistika lidhur me të ardhurat dhe kushtet jetësore, Zvicra gjatë vitit 2013 ka bërë pjesë në mesin e vendeve me standardin më të lartë në Evropë. Studimi ka konstatuar se pabarazia në të ardhura në Zvicër ka qenë më e vogël se mesatarja në Evropë. Ndërkohë që në Zvicër kanë ndjerë të varfëruar 4.0 për qind e popullatës, mesatarja në shtetet e BE-së ka qenë 19.5%.
Por kjo epërsi e qartë e Zvicrës megjithatë nuk i përjashton vështirësitë në përballimin e jetës që ka një kategori e popullatës zvicerane. Kështu, 19.6 për qind të njerëzve që jetojnë në Zvicër nuk kanë qenë në gjendje që të paguajnë një llogari që u ka ardhur e papritur gjatë një muaji. Veç kësaj, pothuajse një në dhjetë persona (ose 8.7%) e banorëve të Zvicrës nuk kanë qenë në gjendje që të paguajnë pushimet e tre njëjavore jashtë shtëpisë.
Nga shtetet evropiane vetëm Luksemburgu dhe Norvegjia konsiderohet se e kanë standardin më të larte se Zvicra.
Edhe pse zviceranët fitojnë 1.7 herë më shumë se italianët ose 1.3 herë më shumë se gjermanët, fuqia blerëse Neto e zviceranëve është vetëm pak më e madhe se ajo e gjermanëve dhe jo në këtë proporcion.
Pas “pastrimit” nga të dalat e detyrueshme (tatimet, sigurimi shëndetësor) një familjeje zvicerane i mbeteshin 51.282 franga në vit për të jetuar.
Afërsisht tri të katërtat e të anketuarve (mbi 16 vjeç) kanë thënë se janë ë kënaqur me jetën e tyre në përgjithësi.