Nëse kriza politike në Kosovë vazhdon deri në fillim të vitit të ardhshëm, atëherë punëtorët që paguhen nga buxheti i shtetit, administrata, policia, mësuesit, mjekët…, mund t’i marrin pagat vetëm edhe për muajin janarit të vitit të ardhshëm. Pas kësaj kohe shteti shkon në kolaps, vlerësojnë analistët.
Ndërsa në Ministrinë e Financave thotë se sipas ligjit, do të ketë paga deri në muajin mars të vitit të ardhshëm. Ndërsa me këto konstatim nuk pajtohet ish-ministri i Financave, Haki Shatri, i cili për media kishte deklaruar se ligjërisht nuk duhet të ketë rroga as për muajin janar.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Lumir Abdigjiku duke interpretuar nenin 24 të Ligjit për menaxhimin e Financave Publike, thotë se pagat e janarit të vitit të ardhshëm duhet të paguhen, por jo edhe të muajit shkurt.
Kurse, eksperti juridik Riza Smaka, pajtohet me interpretimin e këtij të fundit.
“Pagat e janarit do t’i kenë, sipas ligjit u takojnë, s’ka pengesë, mund t’i marrin pagat e janarit të 2015”, deklaroi ai, raporton TG.
Smaka këtë e ndërlidhë me zgjedhjet e përgjithshme për Deputetët e Kuvendit, që deri në fund të vitit fiskal do të bëhet që të jenë mbajtur për më shumë se katër muaj. “…pagat e janarit po do të merren, të tjerat, për muajin shkurt e tutje kurrsesi, derisa të konstituohej Kuvendi”, thekson ai.
Smaka thotë se nëse ekzekutohen edhe pagat e shkurtit qeveria do të bënte shkelje ligjore.
“Në kushtet normale në shtetin e së drejtës, qeveria do të binte, do të hapej procedurë penale, unë nuk besoj se qeveria do ti jep vetit atë komoditet që të shkelë ligjin me katër këmbë”, thekson Smaka, i cili shpreson se deri atëherë do të arrihet një zgjidhje në mënyrë që punëtorët kosovarë të mos mbeten pa paga.
Ndryshe, nga muaji maji i këtij viti, Kosova funksionon pa Kuvend, ndërsa nga 8 qershori kur janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, funksionon me një qeveri në detyrë.
Në zgjedhjet e fundit PDK e kryeministrit Hashim Thaçi doli e para me 30 për qind. Por, katër partitë që mbetën pas LDK, AAK, Nisma për Kosovën dhe Vetëvendosje, janë bashkuar kundër PDK-së.
Kjo gjendje ka nxjerr një situatë të re politike, pasi që Gjykata Kushtetuese ia njeh autonominë për formimin e institucioneve vetëm partisë fituese-PDK-së, mirëpo kjo e fundit nuk po gjen partnerë për koalicion e rrjedhimisht edhe nuk po lëshon rrugë që qeverinë ta bënë koalicioni i pakicës.
Kjo gjendje po e mbanë Kosovën të bllokuar tash e pesë muaj, e madje nuk ka as shenja se pa ndërmjetësimin e shteteve të QUINT-it (katërshja e BE-së dhe SHBA), mund të zgjidhet. Janë këto shtete që kanë ndërmjetësuar edhe në të kaluarën për zgjidhjen e ngërçit politik në vend.