Nga Shkupi direkt për në Spanjë dhe Norvegji dhe në dy vende të tjera evropiane. Kompanitë e reja duhet të nisin që nga vera e ardhshme. Në janar do të shpallet një thirrje për subvencionimin e kompanive ajrore, të cilave në tre vjetët e ardhshëm Maqedonia do t‘u paguajë rreth 5 milionë euro. Për këtë ofertë mund të aplikojë edhe Wizz Air, kompani me kosto të ulët që tashmë fluturon në 14 destinacione nga Shkupi.
Këto të dhëna i kanë bërë publike mediat e Shkupit, duke cituar ministrin e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit.
Nga subvencionimi i kompanive me buxhet të ulët nuk do të thotë se shteti ka hequr dorë nga kompania nacionale e vendit. Javën e ardhshme është planifikuar të hapet tenderi për përzgjedhjen e një konsulenti për të ndihmuar në këtë proces.
Statistikat tregojnë se aeroporti i Shkupit ka një tendencë të vazhdueshme të rritjes. Në nëntë muajt e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar numri i njerëzve që kanë udhëtuar është rritur me 21% dhe 40% për mallrat.