Zvicra duhet të bashkëpunojë më ngushtë me vendet e Bashkimit Evropian në çështjet që kanë të bëjnë me azilin. Komisioni kompetent i Dhomës Nacionale të Parlamentit të Zvicrës, gjegjësisht ai për çështje sigurie (SPK) është pajtuar që Zvicra të bëhet pjesë e Byrosë Evropiane te Mbështetjes për çështje të azilit EASO.
Një shumicë e këtij komisioni e konsideron me shumë rëndësi që Zvicra të jetë pjesëmarrëse në aktivitetet multilaterale që lidhen me problemin e azilit, shkruan srf.ch. Duke bërë këtë, Zvicra jep kontributin e saj në përforcimin e sistemit të Dublinit, ka theksuar SPK në arsyetimin e vendimit.
EASO është një organizëm që bën mbështetjen e vendeve anëtare të Dublinit të cilat i nënshtrohen një presioni më të madh për pritjen e azilkërkuesve.
Ekipet mbështetëse të EASO-s aktualisht janë të pranishme në Itali, Greqi, Bullgari dhe Qipro, gjegjësisht vendet ku është kufiri i jashtëm i BE-së.