Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ka ndarë 12 milionë dollarë për programin “REpower Kosovo”, i cili ofron asistencë teknike për kapërcimin e pengesave në rrugën e zhvillimit dhe zbatimit të projekteve të energjisë së pastër në Kosovë.
Këtë investim e ka deklaruar përfaqësuesit e USAID-it në Kosovë, Todd Christiansen dhe Scott Cameron gjatë një takimi që kanë zhvilluar me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli. Ky projekt, siç thanë ata, është 5 vjeçar dhe ofron asistencë teknike për sektorin e energjisë në Kosovë.
Ndërsa ministri Ismajli ka falënderuar institucionet në fjalë për ndihmën që po japin Kosovës, duke vlerësuar se ky program është një shtytje më shumë për zhvillimin e sektorit të energjisë.
Ismajli ka bërë të ditur se ky program është përkrahje për Kosovën për fusha të ndryshme, siç është zhvillimi i energjisë së pastër, modernizimit të sektorit të energjisë elektrike, përkrahje për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, si dhe përkrahjen në kapërcimin e barrierave në këtë sektor.
Po ashtu, u theksua që ky program do të ndihmojë në zhvillim e kapaciteteve të kuadrove kosovare, të cilat do të vazhdojnë të punojnë në Kosovë në të ardhmen.
“USAID do të vazhdojë të mbështesë edhe realizimin e tregut të përbashkët Kosovë-Shqipëri”, deklaruan zyrtarët amerikanë.