Akt barbarie antishqiptar në Serbi, e ka quajtur Lëvizja Vetëvendosje sulmin e autobusit nga Kosova dhe po udhëtonte për në Gjermani përmes rrugëve të Serbisë.
“Është retorika zyrtare e shtetit dhe pushtetit në Serbi, e riprodhuar nga kisha, shkolla e media, ajo që i mbush qytetarët e Serbisë me urrejtje ndaj shqiptarëve. Kjo ideologji ka shkaktuar spastrime, vrasje e dhunime në të shkuarën, dhe ende mund ta bëjë të njëjtën nëse nuk ndryshohet. Duhet një përpjekje e bashkërenduar, ndërkombëtare, për ta defashistizuar politikën e Serbisë dhe për ta ndalur urrejtjen e retorikën shoviniste”, thuhet në reagimin e tyre.
Tutje, sipas reagimit, problemi është edhe joserioziteti i Kosovës në raport me këtë Serbi haptazi antishqiptare.
“Me deklarata jodinjitoze diplomatët dhe pushtetarët e Kosovës bëjnë përpjekje për të mbuluar dhjetëra marrëveshje që i kanë nënshkruar me Serbinë, pa e kushtëzuar asnjëherë. Sa deklarata janë bërë se po sigurohet lëvizja e lirë, por gjendja mbetet e njëjtë: qytetarët e Kosovës lëvizin me frikë, dhe kohë pas kohe sulmohen. Përveç se mërgata jonë dhunohet duke pritur me orë të tëra në kufi duke hyrë e dalë nga vendi, ata me vete bartin edhe frikën nga sulmet që mund t’i marrin”, ka reaguar VV.
“Si çdo politikë diskriminuese, edhe antishqiptarizmi është i papranueshëm, e sidomos për ne shqiptarët”, thuhet në fund të njoftimit, shkruan Albinfo.ch.