Skip to content

Kosova e varfër me politikanë milionerë

Në Kosovë, paga mesatare është deri në 400 euro, ndërsa gjysma e popullatës është e papunë dhe e varfër

Zyrtarë të institucioneve të Kosovës, disa nga të cilët janë pjesë e legjislativit, kanë pasuri të paluajtshme, para të gatshme dhe vetura luksoze, ndërkaq, pagat vjetore të tyre sillen rreth 17 mijë euro. Kjo është bërë e ditur nga deklarimi i pasurisë që kanë bërë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit,

Sic raporton “Radio Evropa e Lirë”, në mesin e deputetëve ka edhe të atillë që pasuria e tyre nga deklarimet e mëhershme është rritur dukshëm për një periudhe të shkurtër kohore.

Sipas drejtori të Lëvizjes „Fol“, Petrit Zogaj, organizatë kjo që nga viti 2010 ka bërë monitorimin e pasurisë se personave zyrtarë, në një vend ku demokracia është e brishtë dhe në vendet ku pushteti përdoret nga pushtetarët jo për të ndërtuar një strategji zhvillimore, sigurisht që e vetmja kategori që pasurohet brenda këtij sistemi janë politikanët.„Ajo çka është, dhe mbetet shqetësuese është që njerëzit në politikë në 15 vitet e fundit është parë që në mnyrë konstante kanë rritur pasurinë e tyre, ndërkohë që e njëjta nuk ka ndodhur, ta zëmë, në mënyrë konstante me zhvillimin ekonomik të përgjithshëm shoqëror”, tha Zogaj.

Edhe Arton Demhasaj, përfaqësues ligjor në Organizatën për Demokraci dhe Anti-Korrupsion “Çohu”, thotë se nëse bëhet një llogaritje e vogël e pasurisë së disa deputetëve, kuptohet se pasuria e tyre është e barabartë me pasurinë e një milion banorëve të Kosovës.

Në Kosovë, paga mesatare është deri në 400 euro, ndërsa gjysma e popullatës është e papunë dhe e varfër. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës papunësia në Kosovë është 30.9 për qind, meqenëse ka edhe të dhëna, që flasin për një papunësi edhe mbi 40 për qind.

Sipas ligjit, të gjithë zyrtarët e lartë, kanë për obligim ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre brenda afatit 30 ditorë pas marrjes së detyrës.