Lajmin e bëri të ditur faqja zyrtare e Werder Bremenit në Twitter, duke shkruar: “Njeriu raketë duke e pranuar çmimin për Lojtarin Më Të Mirë të Sezonit 2018/2019. Urime Milot Rashica”
Kosovari i bëri gjithsej 26 paraqitje sezonin e kaluar në Bundesligë, prej të cilave 19 herë ishte në formacionin e parë, ndërsa shtatë herë të tjera u inkuadrua në lojë nga stoli. Ai i luajti mesatarisht 59 minuta për ndeshje, ndërsa SofaScore e vlerësoi me notë mesatare 7.12 për paraqitjet e këtij sezoni.
Ai i shënoi nëntë gola, apo mesatarisht një gol për çdo 173 minuta lojë ose 0.4 gola për ndeshje. Rashica i bëri mesatarisht 1.8 goditje brenda kuadratit të portës për ndeshje, ndërsa gjatë gjithë sezonit i humbi vetëm katër raste të mira.
Rashica kontribuoi te skuadra e tij edhe me pesë asiste për bashkëlojtarët. Ai ishte i saktë në pasime 69 për qind mesatarisht, ndërsa i krijoi edhe shtatë raste shumë të mira për bashkëlojtarët e tij, të cilët megjithatë s’arritën t’i konkretizojnë ato në gola.