Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srdan Darmanoviq, ka komentuar dorëheqjen e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Sipas ministrit Darmanoviq, dorëheqja e Haradinajt do të mund t’i jepte Thaçit dhe Vuçiçit më shumë hapësirë për negociata.
Srdan Darmanoviq, këto deklarata i ka dhënë për Voice of America, ku tutje ka thënë edhe se nëse dialogu udhëhiqet nga presidentët, do të sjellë një skenar të ri në dialogun në Bruksel.
”Dorëheqja e Ramush Haradinajt si kryeministër i Qeverisë së Kosovës mund të lejojë dy negociatorë kryesorë në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës. Presidentët, ai i Kosovës dhe ai i Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, mund të sigurojnë më shumë hapësirë për negociatat”, ka thënë ministri.
Tutje, sipas tij, Haradinaj ka qenë një pjesëmarrës i shquar në zgjidhjen e problemeve.
”Sigurisht, Ramush Haradinaj ishte një pjesëmarrës i shquar në zgjidhjen e problemeve dhe marrëdhënieve të serbëve të Kosovës dhe kishte pikëpamjet e tij për këtë. Ata kuptohen dhe interpretohen ndryshe: dikush i kuptoi ato si një pengesë dhe dikush si person parimor”, tha Darmanoviq, përcjell Albinfo.ch.