Në lumin Rajnë (Rhein) që përshkon qytetin e Bazelit, një anije e madhe mallrash ka goditur në mbrëmjen e sotme dy ura që lidhin dy pjesët e qytetit. Aksidenti që konsiderohet i rëndë, edhe pse nuk ka pasur viktima, ka ndodhur në segmentin e rezervuar për notarë, në mes të dy urave, shkruan 20minuten.ch dhe mediet e tjera zvicerane.
Ata që e kanë parë aksidentin thonë se fare afër anijes ka pasur njerëz duke notuar në ujë dhe barka me udhëtarë, transmeton albinfo.ch. Por për fat, nuk ka të lënduar.
Forcat e shpëtimit, përfshirë policinë dhe zjarrfikësit, kanë shkuar në vendin e ngjarjes.
“Pas ndeshjes me urën e mesme të Rajnës, anija e mallrave ka dalë nga kursi që mbante. Për pasojë ajo është përplasur në shtyllat e urës tjetër, të radhës (Johanniterbrücke), shkruajnë mediet lokale.
Dëshmitarët thonë se bëhet fjalë për një anije rumune me defekt.
Policia Kantonale e Bazelit deri më tash nuk ka dhënë detaje lidhur me aksidentin. Megjithatë, sipas një zëdhënësi të zjarrfikësve, anija ka pasur një defekt në motor, kështu që ka qenë e penguar për të manovruar, përcjell albinfo.ch.
Anija ka mundur përfundimisht që me ndihmën e anijeve të zjarrfikësve, të ndalet dhe të përforcohet në urën Dreirosenbrücke.
(Foto: 20minuten.ch)