Rinumërimi i votave, i cili po bëhet në bazë të vendimit të KQZ-së është duke vazhduar. Siç bëhet e ditur nga KQZ, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, ka përfunduar rinumërimin e gjysmës së kutive.
Nëse procesi i rinumërimit të kutive vazhdon me dinamikën e deritashme, ky proces pritet të përfundojë pas dy ditëve, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Sipas tij, janë rinumëruar 220 kuti nga 439, transmeton KTV.
“Aktualisht në QNR është duke vazhduar procesi i rinumërimit të kutive të tjera të votimit, sipas një dinamike të paraparë nga kjo qendër”, ka theksuar ai.
Procesi i rinumërimit të 439 kutive nisi të premten, pasi në formularë nuk ishte përputhur numri i kandidatëve me votat e partive.
Shpallja përfundimtare e rezultateve nga zgjedhjet e 8 qershorit, pritet të bëhet brenda 10 ditëve.