Botërori Brazili 2014 ka përfunduar për futbollistin e kombëtares zvicerane Steve von Bergen. Për shkak të lëndimit të rëndë nga ndeshja e fundit me Francën, mbrojtësi i kombëtares zvicerane, Steve von Bergen duhet ta braktisë kampionatin para kohe.
Lajmin e kanë konfirmuar mjekët e ekipit zviceran.
Mbrojtësi e kishte lëshuar lojën të premten, në humbjen 2:5 kundër Francës, në një përballje për top me Olivier Giroud të Francës, në minutën e 7-të. Bergen ka pësuar një lëndim poshtë syrit të majtë.
31-vjeçari do të kthehet sa më shpejt të jetë e mundur për në Zvicër për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.