Sot në Bernë në organizim të albinfo.ch dhe British Council mbahet tryeza që ka për temë gratë migrante, gjuhën dhe integrimin e tyre gjegjësisht raportin në mes të njohjes së gjuhës dhe ruajtjes së traditës së kulturës nga e cila vijnë
Gjuha dhe integrimi- cilat janë mundësitë? Cilat janë sfidat dhe si mund t`i kalojmë ato?
Në lidhje me këtë temë, të shikuar nga aspekte të ndryshme në tryezën e Bernës sot debatojnë personalitete kompetente nga fushat e tyre si: Christa Markwalder, deputete në Parlamentin Nacional të Zvicrës; Luljeta Nuzi, përfaqësuese e “Shpresa Programme”, nga Londra, organizatë që promovon arsimimin dhe trainimin e njerëzve shqipfolës në Mbretërinë e Bashkuar; Yvone Riano, profesoreshë në Universitetin e Bernës, departamenti i Gjeografisë, specialiste për migracion dhe Maryline Vial-Pittet, nga Espace femmes, koordinatore e kurseve të gjuhës për gratë migrante në Friburg.
Si mysafirë specialë marrin pjesë edhe ambasadori i BE-së në Zvicër Richard Jones dhe ai i Britanisë së Madhe, Simon John Meredith SMITH.
Debati drejtohet nga Daniel Hitzig, gazetar, Alliance Sud.
Aktiviteti mbahet në ambientet e Universitetit të Bernës, në ndërtesën qendrore, Kuppelraum, Hochschulstrasse 4, nga ora 11.00 deri në orën 13.00.