Ky organizim kishte mbledhur në sallën e bibliotekës, PBZ Biblothek Hardau fëmijët që përfunduan vitin shkollor në Kantonin e Cyrihut, të shoqëruar edhe nga prindërit e nxënësve e shumë mysafirë të tjerë. Në një atmosferë mjaft të mirë, nxënësit, të shoqëruar nga mësimdhënësit e tyre, ishin krenarë me sukseset që kishin treguar në zotërimin e gjuhës shqipe.
Pas ndarjes së diplomave, prindërit kishin sjellë me vete edhe ushqime nga më të ndryshmet, duke bërë kështu vërtet një festë takimin e përbashkët në mes të nxënëseve dhe prindërve.
Në fjalën përshëndetëse nga Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për kantonin e Cyrihut, ka thënë se fëmijët që sot përfunduan mësimin plotësuese të gjuhës shqipe kanë marrë diplomë, të cilën e ka vlerësuar që do të ndikojë në forcim të gjuhës së nënës, siç e ka quajtur ai, por dhe një mundësi e mirë për të pasur një karrierë të suksesshme për të ardhmen e tyre.
Po ashtu të pranishmit në festen e përfundimit të vitit shkollor, i ka përshëndetur edhe Nexhat Maloku, në cilësinë e koordinatorit të LAPSH-it në nivel të Zvicrës. Ai është shprehur mjaft i kënaqur me sukseset që kanë treguar nxënësit shqiptarë të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër. Duke shtuar se diplomat që nxënësit sot kanë marrë, do të jenë krenari për ta. Ai po ashtu ka falënderuar edhe kontributin e prindërve, për të cilët ka thënë se nuk do ishte e mundur një suksese i tillë pa përkrahjen e tyre.
Aktualisht, në shkollat shqipe në kantonin e Cyrihut mësimin vijojnë rreth 500 nxënës, ndërsa në nivel të Zvicrës mësimin plotësues të gjuhës shqipe vijojnë rreth dy mijë fëmijë.
Armend Berisha, autor i shkrimit dhe fotografive


















