Qeveria e Zvicrës mbron qëndrimin që edhe në të ardhmen azilkërkuesit e dëbuar nga Zvicra mund të riatdhesohen vetëm në vendet e tyre të prejardhjes dhe jo në vende të treta. Lidhur me këtë qëndrim, Këshilli Federal i ka rekomanduar edhe parlamentit që të hedhë poshtë një mocion i cili e kërkonte të kundërtën, gjegjësisht dëbimin në vende të treta.
Më konkretisht, mocioni i përmendur kërkon që Qeveria Federale të negociojë me vende tjera marrëveshje të cilat do t`i lejonin Zvicrës t`i dërgojë azilkërkuesit e saj të refuzuar në rastet kur vendet e prejardhjes nuk janë sa duhet kooperuese për pranimin e azilkërkuesve.
Zvicra, sipas këtij mocioni do të duhej t`i paguante vendet e treta për shërbimet e tyre të ofruara në pranimin e azilkërkuesve. Kjo gjë për Qeverinë e shtetit është e papranueshme.
Sipas saj , një veprim i tillë do t`i shtynte vendet e varfra drejt tregtisë me qenie njerëzore.