Caritasi Zviceran i ka dhuruar pajisje për testimin e cilësisë së mjaltit dhe analizën e polenit Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinarisë së Kosovës, përcjell albinfo.ch.
Ky donacion u realizua në kuadër të projektit “Prosperiteti i prodhimtarisë agrare në Kosovë nga investimet e qëndrueshme rurale – PASURI”.
“Kjo është një risi, pasi tani është e mundur që në Kosovë të sigurohet cilësia e mjaltit vendor dhe të përcaktohet vendi i origjinës”, thuhet në njoftim.
Nga Caritasi Zviceran kanë njoftuar se në fazën e dytë ata do të trajnojnë dhe aftësojnë stafin e laboratorit për realizimin analizave të tilla për mjaltin. Sipas tyre, kjo do të vazhdojë të kontribuojë në zhvillimin e sektorit të mjaltit dhe të bletarisë në Kosovë.