Kantoni i Cyrihut ka vendosur kundër hapjes së kopshtit të parë mysliman për fëmijë parashkollorë në vend, duke thënë se komponentet ideologjike që ofron ky institucion janë në kundërshtim me standardet lokale arsimore.
Pas kësaj kërkese qëndron një organizatë islamike “Al Huda”, e cila kishte propozuar hapjen e këtij kopshti në qytetin Volketsvil të Zvicrës.
Kopshti i fëmijëve ishte paraparë të përfshinte 15 deri në 25 fëmijë. Edhe pse nuk kishte marrë licencën, regjistrimi në internet kishte filluar në mesin e vitit të kaluar .
Komponentët kryesorë të këtij institucioni arsimor ishin mësimi i gjuhës arabe dhe studimi i Kuranit .
Autoritetet e Zürichut kanë thënë se kjo qasje nuk është në përputhje me rregullat themelore të arsimit zviceran të obliguar – i cili përfshin tolerancën, hapjen dhe gatishmërinë për t’u angazhuar në dialog .
Në vendim thuhet se kopshtet e fëmijëve dhe shkollat duhet të sigurojnë që nxënësit e tyre nuk janë subjekt i ndikimeve ideologjike që rrënjësisht kundërshtojnë programin arsimor .
Po ashtu në vendim thuhet se qëllimet e kopshtit mysliman nuk përfaqësojnë vlerat pluraliste të arsimit zviceran.
Al Huda në njoftim për media thotë se do të ankohet ndaj këtij vendimi.