Shqiptarët vazhdojnë të renditen mes dhjetë kombeve nga kanë ardhur më shumë azilkërkues për vitin 2018, thuhet në raportin vjetor të Agjencisë Evropiane për Monitorimin e Kërkesave të Azilit në BE, Zvicër dhe Norvegji.
“Venezuelasit, afganët, pakistanezët dhe shqiptarët e gjeorgjianët janë vendet prej nga kanë ardhur më së shumti kërkesa”, thuhet në Raportin Vjetor të Situatës së Azilit në Evropë të BE-së të botuar të hënën (24.06). Si shqiptarët, ashtu edhe gjeorgjianët përbëjnë nga 3 për qind të numrit total të kërkesave, thuhet në raport. Shqipëria zë vendin e nëntë me mbi 22 mijë aplikacione për azil, para Venezuelës dhe pas Gjeorgjisë.
Megjithatë, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria ka rënë në krahasim me vitin 2017, kur ky numër ishte mbi 26 mijë aplikacione. Në mesin e 30 vendeve kryesore, prej nga vijnë azilkërkuesit në Evropë, gjendet vetëm edhe një vend tjetër i Ballkanit, Serbia, me mbi 6000 kërkesa për azil. Kosova nuk gjendet në këtë listë dhe në raport përmendet vetëm katër herë.
Numri i refugjatëve në BE bie në tërësi
Kërkesat e shqiptarëve janë kryesisht në Francë, por në këtë vend nuk janë në listën e 10 vendeve kryesore nga vijnë kërkesat. Ato shënojnë një rënie prej rreth 10 për qind. Numri i madh i azilkërkuesve nga Shqipëria shpesh është parë si një nga arsyet, pse Franca ka qëndrim të ashpër sa i përket çeljes së negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë. Numri i madh i kërkesave të shqiptarëve në Francë është lidhur me ligjet liberale të këtij shteti dhe procedurat e gjata, shkruan dw, përcjell albinfo.ch.
Në përgjithësi numri i azilkërkuesve ne Evropë është në rënie dhe është në shifrat para krizës në Lindjen e Mesme. Komisionari për Çështje të Brendshme dhe Qytetare, Dimitris Avramopulos, ka thënë që “rënia e madhe e azilkërkuesve në Evropë është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta evropiane në të gjitha frontet. Tash ne jemi duke i menaxhuar kufijtë më mirë, kemi partneritet me vendet e origjinës dhe të tranzitit, kemi mbrojtur azilkërkuesit gjatë udhëtimit të tyre dhe jemi marrë me shkaqet e migrimit”.