Në aeroportin “Nënë Tereza” kanë mbërritur 127 shtetas shqiptarë me avionë të posaçëm, të cilët janë riatdhesuar pas refuzimit të kërkesës për azil nga autoritetet franceze
Operacioni i riatdhesimit u zhvillua në bashkëpunim me Policinë franceze. Edhe gjatë këtij operacioni u riatdhesuan familje me fëmijë minorenë.
Në fluturimin e paradites u riatdhesuan 36 shtetas shqiptarë dhe në fluturimin e dytë në mesditë u riatdhesuan 91 të tjerë.
Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, së bashku me znj. Gordana Tadic, nëndrejtoreshë territoriale e Zyrës franceze të integrimit dhe migrimit, kanë theksuar se bashkëpunimi mes dy policive është i shkëlqyer dhe po punohet maksimalisht për parandalimin e azilkërkimit.
Voda nënvizoi në fjalën e saj se çdo përpjekje për kërkim azili është e dështuar, askush të mos bëjë shpenzime ekonomike për të kërkuar azil, pasi mundësitë janë zero.
Zv.ministrja gjithashtu apeloi për të gjithë që të ndjekin rrugën ligjore për t’u punësuar në vendet e BE-së.
Operacione të riatdhesimit do të ketë dhe në ditët në vijim, jo vetëm me Francën, por edhe me vendet e tjera të BE-së.