Për herë të parë që nga periudha e luftës, autoritetet amerikane të sigurisë kanë kërkuar nga personali i tyre në Kosovë, që t’i reduktojnë lëvizjet e tyre gjatë festës së Pashkëve. Apeli bazohet në kërcënimet e mundshme të grupeve kriminale gjatë periudhës së festave të krishtere.
Kumtesa është lëshuar të enjten nga Byroja për Siguri Diplomatike e Departamentit Amerikan të Shtetit, e i cila kërkon nga qytetarët amerikanë që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, që të kenë më shumë vigjilencë gjatë festave të Pashkëve.
Kumtesa, siç raporton RTK, është e bazuar në informacione që posedon Ambasada Amerikane në Prishtinë e që kanë të bëjnë me kërcënime ndaj objekteve fetare të krishtera në Kosovë.
Është hera e parë që një organizatë ndërqeveritare amerikane u bënë thirrje të kësaj natyre qytetarëve amerikanë në Kosovë në prag të njërës nga festat më të mëdha të krishtera, siç janë Pashkët. Ky apel shpjegohet me faktin se kohën e fundit janë shtuar njerëzit që mbështesin islamin ekstrem.
“Duke pasur parasysh kërcënimet e herëpashershme kundër institucioneve fetare në Kosovë, sidomos ndaj kishave më prominente në qendrat urbane, ambasada e SHBA dëshiron t’u tërheq vëmendjen qytetarëve amerikanë në Kosovë që të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë tek Policia e Kosovës”, thuhet në këtë kumtesë.