Ministri Makolli ka folur para nxënësve për historinë e Kosovës dhe për rëndësinë që ka ruajtja e traditës, historisë dhe gjuhës shqipe.
“Edhe pse keni lindur në vendin ku jetoni, sado që të arrini në jetë, kurrë mos e harroni vendin e të parëve, aty ku flitet shqip, ku i keni rrënjët tuaja. Nuk duhet të harroni vendin prej nga vini. Gjatë vizitës suaj nëpër Kosovë, ju do të shihni shumë përmendore, dëshmi e luftës së fundit, luftë kjo që bëri të mundur që sot ne të jetojmë të lirë”, tha ministri Makolli.
Më tej, ministri Makolli i porositi nxënësit shqiptarë që të lidhen më shumë me njëri-tjetrin, të ndikojnë te fëmijët e tjerë që ta ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe.
Ai posaçërisht i falënderoi mësuesit shqiptarë të këtij vendi mik për kontributin që po japin që të ruhet gjuha shqipe, kultura e traditat shqiptare.
Nxënësit shqiptarë shoqëroheshin nga Osman Ademi, Miradije Berishaj, Milaim Zyrapi dhe Roza Ndrecaj, të gjithë mësues të mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Austri.
Kryesuesi i grupit të fëmijëve, Osman Ademi, mësues i gjuhës shqipe në Vjenë, u shpreh i kënaqur me vizitën që bashkë me nxënësit do ta bëjnë nëpër Kosovë e Shqipëri.
Ai me bashkëpunëtorët e tij, falënderuan Ministrin e Diasporës që ka bërë të mundur që këta fëmijë të vijnë në Kosovë, të jenë më afër atdheut, t’i njohin bukuritë dhe historinë e saj.