Qyteza Moutier, që është qendra më e madhe e regjionit frankofon Jura, i cili administrativisht i takon kantonit të Bernës synon që përmes votimit të kalojë si komunë në kantonin “amë”, Jura.
Autoritetet e komunës i kanë bërë të martën një kërkesë zyrtare kantonit të Bernës lidhur me këtë çështje. Votimi për kalimin në kantonin tjetër mendohet të mbahet jo para vitit 2016.
Para kësaj duhet përpunuar baza juridike që mundëson një votim të tillë dhe ajo t`i prezantohet Parlamentit të Kantonit. Ndërkaq, Zyra Shtetërore e Kantonit të Bernës i ka filluar punët që i përkasin asaj në këtë drejtim.
Rreziku që Parlamenti i Bernës të mos e miratojë qëndrimin e komunës Moutier nuk është shumë e lartë
Rezultati i votimit ndërregjional të bërë në nëntor të vitit të kaluar kishte rezultuar me kundërshtimin për bashkim të Juras berneze me Kantonin Jura, gjegjësisht krijim të një kantoni të ri, të përbashkët. Pasi që një bashkim në nivel kantonesh ishte hequr kështu nga rendi i ditës, u ishte mundësuar komunave që të vendosnin veç e veç nëse dëshironin të ndërrojnë kantonin.