Banorët e kantonit Jura që kanë shtetësi të huaj në të ardhmen do të duhej të kenë të drejtë të zgjidhen në parlamentet komunale. Kjo është vendosur nga Parlamenti i Kantonit, i cili ka bërë një ndryshim të Ligjit mbi të Drejtat Politike. Por, që e drejta e të huajve për t`u zgjedhur të bëhet e plotfuqishme duhet pritur vendimi në referendum i qytetarëve me të drejtë vote.
Edhe me këtë vendim, të huajt nuk do të kenë të drejtë të kandidojnë për kryetar komune.
Në Parlamentin e Kantonit, , në favor të kësaj të drejte kanë votuar 49 deputetë ndërkohë që vetëm 8 kanë qenë kundër.
Ndryshimi i Ligjit mbi të Drejtat Politike është bërë pas kërkesës së një grupimi politik të majtë (CS-Pop) me të Gjelbrit në parlament.
Është interesante se Kantoni Jura, më i riu në Zvicër, i themeluar në vitin 1979 që në fillim u ka dhënë të huajve të drejtën për të votuar në nivel komune dhe kantoni në të gjitha çështjet përveç në çështjet që kanë të bëjnë me kushtetutën.