Në një aksident që ka ndodhur në lumin Rajna (Rhein), në kufirin në mes të Gjermanisë dhe Francës, kanë humbur jetën së paku tre persona. Bëhet fjalë për përmbytjen e një barke gome, shkruan sda.ch.
Në mesin e të mbyturve është edhe një vajzë 6 vjeçe, bën të ditur prefektura përgjegjëse e regjionit francez të Elsas-it, në komunën Gerstheim, ku ka ndodhur aksidenti.
Po ashtu ka vdekur edhe një dëshmitar i mbytjes, në përpjekje për të shpëtuar ata që po mbyteshin në ujë, transmeton albinfo.ch. Një vajzë tjetër që ka qenë në barkë konsiderohet e humbur, ndërsa një person është transportuar në spital.
Sipas informatave të ekipeve të shpëtimit, barka e vogël është fundosur në zonën afër pendës së Gerstheim-it në Rajnë. Disa veta me atë rast janë hedhur në lumë për t`i shpëtuar të mbyturit.
Në të dyja anët e lumit janë angazhuar ekipe të shpëtimit, nga Gjermania dhe nga Franca. Po ashtu janë angazhuar edhe helikopterë dhe ekipe zhytësish.