Dhoma e Kantoneve e Parlamentit të Zvicrës e ka hequr përfundimisht nga rendi i ditës temën e testimit sistematik të ADN-së për azilkërkues të caktuar.
Një testim të tillë e kishte kërkuar Christoph Darbellay, deputet i CVP/PDC-së dhe njëherësh kryetar i kësaj partie. Sipas tij, testimi do të mundësonte që azilkërkuesit të identifikohen më lehtë në raste shkeljesh të ligjit.
Por, Dhoma e përmendur e ka hedhur poshtë këtë propozim përfundimisht.
Para kësaj, Dhoma Nacionale e Parlamentit qe shprehur në favor të qëndrimit që azilkërkuesit nga vende të caktuara t`i nënshtrohen testit të ADN-së. Por, zërat kritikë në shoqërinë dhe politikën zvicerane kishin tërhequr vërejtjen se në këtë mënyrë Zvicra do t`i përballte azilkërkuesit me dyshim paraprak të përgjithshëm se janë kriminelë.
Ministrja e drejtësisë, Simonetta Sommaruga kishte tërhequr vërejtjen se një veprim i tillë do të mund të rrëshqiste në një lloj fajësimi kolektiv të një kategorie njerëzish, e që do të ishte kundër përcaktimeve ksuhteteues të Zvicrës.
Kundër testimit të ADN-së për azilkërkues është shprehur edhe Konferenca e drejtorëve të policisë dhe të drejtësisë në nivel të kantoneve.