Dhoma Nacionale e Parlamentit të Zvicrës kërkon që edhe martesat me detyrim të futen në listën e shkaqeve për dëbimin e të huajve jashtë Zvicrës. Kjo është vënë në pah në kuadrin e debatit në lidhje me jetësimin e iniciativës për dëbimin e të huajve.
Në votimi e bërë me këtë rast, 128 deputetë kanë votuar për futjen e kësaj vepre në katalogun e përmendur dhe vetëm 54 kanë qenë kundër. Mocionin për këtë e kishte bërë deputeti nga CVP/PDC, Alois Gmur.
Gmur ka thënë se edhe ministrja e drejtësisë, Simonetta Sommaruga ka qenë e pajtimit sikurse shumica në parlament, se martesa me detyrim përbën një krim.
Por, Sommaruga nga ana e saj është shprehur kundër mocionit dhe ka udhëzuar që çështja të debatohet në Dhomën Nacionale të parlamentit. Ajo ka thënë se martesa me detyrim është një delikt më i lehë se përdhunimi ose grabitja. Për këtë arsye Qeveria e vendit nuk e ka futur atë në katalogun e shkaqeve për dëbimin e të huajve. (albinfo.ch&sda)