Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë janë diagnostikuar 10 raste me virusin H1N1 që në opinion njihet si “Gripi i Derrit”. Këto raste i konfirmoi të hënën drejtori i Klinikës Infektive, Shemsedin Dreshaj në një konferencë për media.
Ai tha se me datën 27 janar, kanë shkuar mostrat e para për testim në laborator për raste të dyshuara, por ato kanë rezultuar negative, ndërkohë rasti i parë është konfirmuar ditën e premte.
“Rasti i parë i verifikuar në laborator me prani të virusit H1N1, është paraqitur të premten, deri tani kemi 10 raste të konfirmuara në laborator, përderisa 5 të tjera janë raste të gripit sezonal”, ka thënë Dreshaj, sipas të cilit, një pacientë është në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Një paciente e lindur më 1957 nga Dragashi është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është e intubuar, përderisa për 3 raste të tjera si të dyshuara me prani të virusit H1N1 janë duke u pritur rezultatet nga laboratori”, citon KTV doktorin e Infektivës.
Dreshaj ka thënë se janë të furnizuar mirë me barna dhe terapinë tjetër përcjellëse që nevojitet për trajtim të pacientëve, përderisa për këtë ekziston edhe strategjia nacionale, e cila është në përputhje me strategjinë botërore për luftim të sëmundjes së tillë.
Ai i rekomandoi të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes, mos të grumbullohen në grupe të mëdha dhe ne ambiente të mbyllura, e po ashtu të kenë kujdes kur teshtijnë dhe te lajmërohen me kohë te mjeku.
Duke folur për trajtimin e pacientëve, Dreshaj është shprehur se Klinika Infektive ka staf të profesional dhe hapësira të mjaftueshëm për trajtim të rasteve të tilla. Ndryshe, Gripi i Derrit nuk dallon shumë nga ai sezonal, edhe pse pasojat e tij janë dukshëm më të rënda.