Jazz-këngëtarja Rona Nishliu muajin e kaluar promovoi albumin e saj më të ri, të titulluar “Mindil”, me disa këngë të përpunuara që pasqyrojnë trashëgiminë tonë kulturore.
Albumi “Mindil”, për të cilin kuarteti ka punuar dy vjet, përmban gjithsej dhjetë këngë, ndër të cilat janë “Baresha”, “Moj e mira te pojata” dhe “Me lule t’bukra.” Përveç këngëve të folklorit, përfshihen edhe dy këngë të etnive të tjera. “Kasmangjesa”, e cila është këngë e kulturës rome dhe kënga me motive turko-greke, “Opa nina”, që këngëtarja rome, Esma Rexhepova, e kishte bërë të famshme në Ballkan, shkruan kultplus, përcjell albinfo.ch.
Pas suksesit të jashtëzakonshëm në Kosovë, Nishliu do të përformojë me koncert ‘live’ edhe në Maqedoninë e Veriut, që do të mbahet më 20 maj.