Zyra Federale për Migracion (BFM) parashikon që gjatë këtij viti në Zvicër të ketë rreth 24 mijë kërkesa të reja për azil. Këtë e ka konfirmuar të premten para medieve Barbara Büschi zëvendësdrejtoreshë e BFM-së.
Gjatë vitit të kaluar, në Zvicër kanë kërkuar azil 21465 persona, që është për 25 për qind më pak se në vitin 2012. Në të njëjtën kohë në shtetet e Bashkimit Evropian është shtuar numri i azilkërkuesve për 27 për qind në krahasim me një vit më parë, duke arritur në 445 mijë.
BFM pret që trendi aktual i numrit të azilkërkuesve të mbetet edhe gjatë vitit 2014 i pandryshuar.
Autoritetet nga Berna në kuadrin e një ristrukturimi të politikës së azilit kanë planifikuar që në nivel të qendrave federale të azilit të ngrihet numri i shtretërve për azilkërkuesit nga 2100 sa janë sot në 5000 sish.
(albinfo&sda)