Shtetasit shqiptarë të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut përjashtohen nga detyrimi për pajisje me leje pune dhe certifikatë regjistrimi për punë në Shqipëri.
Lajmin e ka dhënë ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i cili ka deklaruar sot se Qeveria e Shqipërisë ka marrë vendimin për përjashtimin nga detyrimi për pajisje me leje pune dhe certifikatë regjistrimi për punë të gjithë shtetasit me përkatësi etnike shqiptare nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Ky vendim, thekson Cakaj, “krijon të njëjtat lehtësi për hyrje në tregun e punës në Shqipëri për shqiptarët nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut sikurse ato që tashmë gëzojnë shqiptarët nga Kosova dhe Lugina e Preshevës”, shkruan atsh, përcjell albinfo.ch.
Sipas Cakajt, “ky vendim është pjesë përbërëse e përpjekjes të Qeverisë për liberalizimin e tregut të punës të Shqipërisë për shqiptarët në tërësi”.
“Pavarësisht se mund të duket një veprim pa ndikim të menjëhershëm apo tingëllon si nismë tërësisht simbolike, ky është një hap i domosdoshëm drejt rritjes së lidhjeve të Shqipërisë me shqiptarët në vendet fqinje pa dallim”, nënvizon Cakaj.
Cakaj shton se “ky vendim, ndërkaq, është vetëm pjesë e një pakoje më të gjerë masash që Shqipëria ka planifikuar për përafrimin e shqiptarëve në përgjithësi”.