Në Ditën e Evropës, disa studentë kosovarë realizuan një aktivitet mjaft të veçantë.
Ata dolën te sheshi ‘Skenderbeu’ në Prishtinë, ku me vete patën një pankartë të madhe, në të cilën ishte dizajnuar ‘Pasaporta’.
E për këtë aktivitet studenti And Arifi ka thënë se ky aktivitet është vazhdimësi i disa aktiviteteve të realizuara më herët.
“Pra, po flasim për mosliberalizimin e vizave si një padrejtësi që i bëhet shtetit tonë si të vetmit në Ballkan. Në kuadër të këtij aktiviteti ne kemi bërë një pasaportë, e cila nuk ka aspak vlerë dhe këtu e kemi ilustruar me disa fotografi që japin mesazhin e tyre dhe ku shohim se historia e Kosovës ishte edhe në vitin 2015 kur ndodhi edhe eksodi i madh, se si kanë ndodhur raste ku për shkak të mosmundësisë së lirisë së vizave, kanë ndodhur shumë raste të ndryshme. Ka pas njerëz që janë larguar për një jetë më të mirë dhe shohim mundësi të tjera po qe se do të kishim vizat”, ka thënë Arifi.
Sipas tij, si studentë e kanë ndier të nevojshme që sot të bëjnë një paraqitje të tillë, shkruan telegrafi, përcjell albinfo.ch.
Të rinjtë në këtë rast i ka përshëndetur edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.