Sot në Zvicër, qytetarët me të drejtë vote do të votojnë për tri iniciativa të ndryshme në nivel vendi dhe për shumë të tjera në nivel kantonesh e komunash. Po ashtu ne këtë të diele votimesh, në disa komuna bëhet edhe zgjedhja e asambleve komunale.
Votimi për iniciativën e SVP/UDC-së “Kundër migrimit masiv” ka vënë nën hije votimet tjera për faktin se nga ai varen raportet e Zvicrës me vendet e BE-së. Ai në fakt konsiderohet si njeri ndër votimet më me peshë që ka bërë Zvicra viteve të fundit dhe fitorja e tij eventuale do të shkaktonte tronditje të vërtetë në Zvicër dhe më gjerë.
Në nivel nacional sot votohet edhe për iniciativën e quajtur FABI mbi infrastrukturën hekurudhore dhe atë për financimin ose jo nga shteti të abortit.
Te FABI çështja që shtrohet është: si do të financohet në të ardhmen infrastruktura shumë e ngarkuar hekurudhore. Këshilli Federal dhe parlamenti propozojnë që operimi, mirëmbajtja dhe zgjerimi i rrjetit hekurudhor në të ardhjen të financohet nga një fond i përbashkët për infrastrukturën. Me atë rast federata do të duhej të shtonte financimin nga 4 në 5 miliardë franga në vit. Por, kundër FABI janë Bashkësia e makinave komerciale ASTAG, ajo e Importuesve të Automobilave “Autoschweiz” dhe SVP/UDC. Ato kundërshtojnë që ngasësit e automjeteve të bashkëfinancojnë hekurudhën përmes tatimeve të tyre që japin për rrugët.
Sot po ashtu në Zvicër do të votohet edhe nisma “Financimi i abortit është çështje private”. Ajo kërkon që abortet të mos mbulohen nga sigurimi bazë shëndetësor.
Iniciatorët argumentojnë se sigurimi bazë do të lirohet me një normë vjetore prej 8 deri 20 milionë frangash zvicerane nëse abortet duhet të paguhen privatisht.
Qeveria e vendit, duke kundërshtuar iniciativën shprehet se dëshiron që edhe në të ardhmen “kriteret morale, religjioze ose sociale e etike dhe jo ato financiare të jenë vendimtare në rastet e vendimit për abortim”.
Po kështu qeveria nuk dëshiron të ndryshohet rregullimi aktual i kësaj çështjeje, i cili në vitin 2002 qe miratuar në mënyrë të qartë me referendum nga populli.
Synim i vendimit të marrë atëherë që përcaktonte afatin e lejimit të abortit ka qenë që të harmonizohen ligji dhe realiteti.
Albinfo.ch do të informojë lexuesit e saj nga ora në orë për rezultatet, reagimet dhe opinionet lidhur me votimet që mbahen sot.